Deputetët Sanela Shkrijel dhe Zeqir Ramçiloviq, nëpërmjet një komunikate të përbashkët, kanë kërkuar nga partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM, që të kërkojë falje dhe të distancohet nga fyerjet që deputetja e opozitës maqedonase, Velika Stojkova Serafimovska i’u drejtoi boshnjakëve gjatë seancës së djeshme parlamentare.
“Nuk ndjejmë nevojën t’ia dëshmojmë askujt se kush jemi dhe çfarë jemi dhe nuk do t’i bëjmë thirrje deputetes që të kërkojë falje, ajo e tha qëndrimin e vetë për çka mori duartrokitje nga grupi i deputetëve të OBRM-PDUKM-së, por i adresojmë reagim publik dhe kërkesë partisë OBRM-PDUKM që të kërkojë falje dhe të distancohet nga ajo që është thënë, nëse ka kapacitet demokratik dhe e respekton Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në deklaratën e përbashkët të deputëtëve.
Të shtunën në seancë plenare, deputetja e OBRM-PDUKM-së, Velika Stojkova Serafimovska në kundër replikën e saj ndaj deputetes Sanela Shkrijel ka fyer boshnjakët.
“Do të keni fëmijë dhe rini dhe ardhmëri me identitet konfuz, siç është edhe identiteti juaj kolege, është e dukshme se ju dëshironi të keni trashëgimtar siç jeni ju momentalisht dhe brezat dhe gjeneratat tona të mos e dinë se çfarë janë, të mos e din çfarë janë sikurse ju që nuk e dini se çka jeni”, deklaroi Velika Stojkova Serafimovska, deputete e OBRM-PDUKM-së.
Serafimovska në një reagim të bërë më vonë, ka shkruar se kur ka folur për “identitet konfuz”, nuk e ka pasur fjalën për boshnjakët por për deputetët e LSDM-së.
Madje, ajo ka shtuar se, dy deputetët e LSDM-së, “nuk kanë kapacitet për të kuptuar fjalimet e saja”.