Telegrafi

Shkrihet Akademia për Studimet Albanologjike në Shqipëri, Kushi: Për tetë vite ka qenë jo funksionale

Qeveria shqiptare mori sot vendimin për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Ky vendim i paralajmëruar në media ka hasur në habi dhe në disa raste kundërshti në opinionin publik

Pas mbledhje së qeverisë, Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka konfirmuar se është marrë një vendim “që ka pasur shumë diskutime debate, dezinformime e spekulime.”

Kushi tha se Akademia e Studimeve Albanologjike do t’i bashkëngjitet si njësi autonome Akademisë së Shkencave.

“Është fjala për riorganizimin e Akademisë për Studimet Albanologjike nga Akademi se nuk i plotëson kriteret, në njësi autonome pranë Akademisë së Shkencave me qëllim ta ngremë në një nivel të ri për rëndësinë që ka sa i takon vlerave dhe identitetin tonë kombëtar”, tha Kushi.

“Ka qenë shkëputja e instituteve duke krijuar qendrën e studimeve albanologjike që me miratimin e ligjit të arsimit të lartë të kthehej në Akademi. Ministria e Arsimit ka dashur që kjo akademi të riorganizohej. Edhe pse mori këtë emër dhe u mbështet nuk arriti të riorganizohet për të qenë në respekt të ligjit. Në janar të 2023, Ministria e Arsimit ushtroi kontroll dhe janë konstatuar një sërë problematikash dhe shkeljesh të rënda ligjor, nga ana e administrimit dhe financave. Janë të renditura problematikat por unë mund t’ju përmend disa”, tha Kushi.

“Akademia e Studimeve Albanologjike nuk ka pasur një fakultet, detyrimi i parë ligjor, nuk ka mësimdhënie që e bën të pamundur të funksionoj. Është e pa-akredituar nga ana e programeve të studimit. Nuk është akredituar asnjëherë. Edhe kur qeveria shqiptare mori kompani të huaj angleze, kjo akademi ishte e vetmja që nuk u akreditua që e bën të pamundur edhe të lëshoj diploma sepse sipas ligjit një institucion lëshon diploma vetëm nëse është i akredituar. Një shkelje tjetër e rëndë ligjore. Ka 8 vite që Akademia nuk regjistron asnjë student në asnjë program studimi dhe kjo i bën pasive të gjitha programet. Ka një sërë argumentesh që e bën të pamundur ekzistencës, ka problematika edhe në institutet e saj, hierarkia, përgatitja e ngarkesave mësimore. Ne sot po e riorganizojmë këtë akademi duke i vendosur si qendra autonome pranë akademisë së Shkencave të Shqipërisë”, tha ministrja e Arsimit Evis Kushit. /Telegrafi/