Kuvendi i ri nis punën me disa nga nismat ligjore që mbetën pa mbyllur procedurat. Një prej tyre është ajo e propozuar nga kryeministri Edi Rama dhe deputeti Taulant Balla, për heqjen e dekoratave, titujve dhe medaljeve për ish-liderin komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, si dhe funksionarët që kanë shërbyer në sistemin komunist, bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit apo veteranët e luftës.
Nisma është paraqitur që në dhjetor të vitit 2015. Në listën e materialeve që do diskutojnë deputetët në komisione, në tre javët e ardhshme, janë edhe kërkesa e një grupi deputetësh të LSI-së për ndryshimin e Kodit Rrugor, kërkesë e paraqitur tre vite më parë.
Diskutimet do jenë edhe për disa shtesa në ligjin për nënpunësin civil dhe ligjin për gjuetinë. Debate pritet të krijojë edhe projekt-ligji për koncensionet dhe partneritetin Publik-Privat, propozuar nga një grup deputetësh dhe nisëm e LSI-së.
Në kalendarin treavor të diskutimeve të parlamentit të ri, është dekreti i ish presidentit të Republikës Bujar Nishani për Menaxhimin e integruar të mbetjeve. Nishani dekretoi kundër ligjit.
Të hënën opozita bën konkrete nismën në kuvend, duke hedhur hapin e parë, me kërkesën për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, në fokus të së cilës do të jenë dy pika kyçe, shit-blerja e votës dhe votimi elektronik.
Kjo është një nga pikat e marrëveshjes së 18 majit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, për të cilën u ra dakord që do të niste puna në fillim të legjislaturës së re të Parlamentit. Ndërkohë, të hënën parlamenti do të nisë zyrtarisht punën në kuvend, me konstituimin e komisioneve dhe miratimin e kalendarit 3 javor të punimeve. /Top Channel/