Shkollat fillore dhe të mesme në Strugë kanë dorëzuar kërkesë në komunë për shkurtimin e orëve mësimore nga 45 në 35 minuta për të kursyer energjinë elektrike dhe naftën.
Me shkurtimin e orëve për 10 minuta do të bëhet kursimi i naftës, ndërsa faturat e rrymës do të jenë shumë më të ulëta, gjë që është e nevojshme për përballimin e krizës energjetike, bëjnë të ditur shkolla e mesme profesionale “Niko Nestor” nga Struga.
Drejtoresha Keti Jankoska thotë se në këtë mënyrë dita e mësimit do të shkurtohet për rreth një orë e gjysmë dhe në këtë mënyrë do të zvogëlohen shpenzimet, por nuk do të humbasë procesi arsimor.
“Kemi paraqitur kërkesë në Komunën e Strugës për shkurtimin e orëve nga 45 në 35 minuta. Ndërrimi i dytë të fillojë në orën 13:00, në vend të orës 13:30, që do ta përfundonte më herët dhe do të kursente në ndriçim dhe ngrohje”, thotë Jankoska.
Shkollat e Strugës janë në pritje të vendimit të Qeverisë për kalimin e tyre nga tregu i lirë në ESM, zbatojnë masat dhe rekomandimet për kursim të energjisë elektrike.
Më herët kanë nxjerrë jashtë përdorimit kompjuterët, tabelat inteligjente dhe ngrohëset elektrike shtesë.
“Do të na lehtësonte shumë sepse shkolla jonë është shumë e madhe me 150 të punësuar dhe 1500 nxënës, punojmë në dy ndërrime kështu që kapaciteti është i madh dhe kjo masë do të ishte e mirëseardhur”, tha Jankoska.
Këshilltarët e qytetit do të vendosin për kërkesën për shkurtimin e mësimit në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Strugë.