Site icon Telegrafi

Shkolla “Lidhja e Prizrenit” në Pejë u akuzua se po kërkon para nga prindërit, sqarohet drejtori i saj

Drejtori i shkollës së mesme-fillore të ultë (SHFMU) “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, Valdrin Husaj në një prononcim për Telegrafin ka reaguar në lidhje me ankesat prindërve të kësaj shkolle drejtuar emisionit “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini.

Husaj tha se shkolla “Lidhja e Prizrenit”, e ka bordin e kësaj shkolle të cilët kanë vendosur që prindërit me vetiniciativë të kontribuojnë në këtë shkollë.

Husaj tha se vendimet e këtij bordi, drejtoria e shkollës nuk mund t’i hedh poshtë.

“Jo nuk është e vërtetë që kemi kërkuar para nga prindërit. Nuk kemi kërkuar as për ngrohje, dhe për asgjë tjetër. Shkolla jonë e ka bordin e saj, i cili ka vendosur para se unë të bëhem drejtor që të sigurojnë, sigurimin e shkollës. Për këtë ekzistojnë dhe proces verbale. Unë si drejtor i shkollës nuk mund ta hedh poshtë atë që ka vendosur bordi i shkollës. Pra, të vetmet të holla që janë mbledh, janë për sigurinë e shkollës, të cilët kanë vendos vet prindërit. Kjo ka funksionuar edhe më herët, jo nga koha që kam ardhur unë. Në momentin që kam ardhur unë kanë qenë punët e përfunduara, ndërsa unë si drejtor i ri vetëm i kam trashëguar ato. Një prind është ankuar në ‘Zyrën e Ankesave’, që kemi kërkuar nga 10 euro për ngrohje, por jo nuk është e vërtetë që kemi mbledh pare për ngrohje. As edhe një fakt të vetëm nuk ekziston që ne si shkollë kemi mbledh pare për ngrohje”, ka thënë Husaj.

Drejtori i kësaj shkolle po ashtu tha se sa i përket kushteve sanitare, vet prindërit sërish kanë shprehur iniciativën e tyre për të kontribuar në pastërti si dhe rregullimin e disa çështjeve teknike në këtë shkollë.

“Meqë objekti është i vjetër, vet prindërit kanë marr iniciativë që çfarë të ketë nevojë për ndonjë rregullim ta rregullojnë, dikush një dorëz të derës, dikush rregullimin e ndriçimit që është prishur etj. Askush nuk ka kërkuar që të sjell ndonjë pare për këtë. Pra ka qenë më vetiniciativë të prindërve. Prindërit kanë thënë që  mundemi si klasë të organizohemi dhe ta pastrojmë klasën”, u shpreh tutje ai.

Husaj tregoi se ka folur edhe me kryetarin e kësaj komune, Gazmend Muhaxheri i cili i ka thënë që banjat dhe investimet kapitale do të rregullohen nga komuna.

“Kam fol me kryetarin e komunës, dhe më ka thënë që banjat do të rregullohen nga komuna dhe krejt investimet kapitale. Ndërsa disa prindër që nuk iu ka pritur kanë marr iniciativë vet që të sjell dikush një derë, dikush diçka tjetër, e jo pare”, sqaroi për Telegrafin, drejtori i shkollës “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, Valdrin Husaj.

Ndryshe, në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini prindërit janë ankuar se në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, po iu kërkohet para për rregullimin e kushteve sanitare. Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri tha se ia ka bërë me dije drejtorit të kësaj shkolle që punët e mëdha i kryen komuna. /Telegrafi/

 

Exit mobile version