Peshkatari Louis Castor që kishte dalë për peshkim në liqenin Harlem Meer në parkun qendror të Nju Jorkut, ka zbuluar se si ka arritur të “peshkoj” kufomën, pasi që grepi i kishte ngecur në diçka të fuqishme.
Aty e kuptoi se bëhet fjalë për trupin e pajetë të një njeriu, kur edhe filloi ta tërheq shkopin e peshkimit, transmeton Telegrafi.
“Mendova se po shikoja fantazmë. Më ngeci grepi dhe kur tentova ta tërheq, e pashë se si mbi sipërfaqen e ujit po dilte këmbë e një njeriut”, ka deklaruar ai.
Ky peshkatar i cili që nga mosha 7-vjeçare peshkon në liqenin e parkut qendror, theksoi se pamjet ishin rrëqethëse sa që për një moment nuk ka mundur më të shikojë.
Me të dalë në vendin e ngjarjes, policia ka konstatuar se bëhet fjalë për trupin e pajetë të një mashkulli rreth të 30-ve i cili kishte plagë në kokë, e shkaku i vdekjes deri më tani nuk është zbuluar.
Castor e pranoi se nuk është i sigurtë nëse do të mundet sërish të rikthehet në atë liqen për të peshkuar.
“Mendoj se nuk do të mund të kthehem sërish në atë park”, ka thënë për fund peshkatari amerikan.
E siç raportojnë mediat amerikane, kjo është kufoma e tretë që gjatë këtij muaji është gjetur në parkun qendror të Nju Jorkut. /Telegrafi/