Site icon Telegrafi

Shkodra zona më përhapjen më të gjerë të kultivimit të bimëve narkotike

Ilustrim

Alpet e Shqipërisë, me bukuritë natyrore, po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë të aventurës, por edhe trafikantë dhe kultivues të bimëve narkotike.

Për vetë terrenin malor, vështirësitë e infrastrukturës rrugore, shpopullimit, por edhe vështirësive të kontrollit të territorit nga ana e vendorëve dhe policisë, Alpet janë shndërruar në një terren të favorshëm për kultivimin e bimëve narkotike cannabis sativa.

Vetëm gjatë 5 muajve të fundit, përmes operacionit “Alpe të Pastra”, zhvilluar në 18 faza me përfshirjen e qindra forcave dhe mjeteve të policisë, janë zbuluar 132 raste kultivimi dhe asgjësuar më shumë se 76 mijë bimë narkotike, arrestuar 9 autorë të dyshuar për kultivimin e tyre, si dhe shpallur në kërkim 11 shtetas të tjerë.

Zona më e prekur nga kultivimi i bimëve narkotike është ajo e Dukagjinit, me fshatrat e njësive administrative Shalë, Shosh e Pult, ku ky fenomen po rrit edhe përmasat e kriminalitetit.

Në këtë zonë, që nga fundi i qershorit, janë vrarë tre persona dhe plagosur një tjetër, krime këto të dyshuara se lidhen me fenomenin e kultivimit te bimëve narkotike.

Në të gjithë Qarkun e Shkodrës, ku përfshihen 5 bashki, deri tani janë zbuluar dhe asgjësuar 197 mijë bimë dhe fidanë kanabisi, sasi kjo që është sa rreth 62 përqind e bimëve narkotike të asgjësuara këtë vit në gjithë territorin e vendit.

Kjo e bën Qarkun e Shkodrës zonën më problematike përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike.

Sipas të dhënave zyrtare nga policia e shtetit, deri në fillim të muajit shtator, në Shqipëri ishin zbuluar dhe asgjësuar gati 290 mijë bimë dhe fidanë të bimëve narkotike si dhe ishin arrestuar 111 kultivues të tyre.

Por burime vendore pohojnë se sasia e bimëve narkotike, kultivuar këtë vit në territorin e vendit, është shumë më e madhe se ajo që ka zbuluar deri tani policia./VOA

Exit mobile version