Shkodra ishte qyteti me përhapjen më të madhe të të infektuarve ditën e sotme, me plot 12 persona. 6 prej tyre dyshohet se janë infektuar në një varrim ku kanë marrë pjesë, ku siç raportohet numri i njerëzve ka qenë i lartë.
Në Shkodër janë marrë rreth 20 mostra dhe rezultatet pritet të dalin mesnatën e sotme.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, Voltana Ademi dha më shumë detaje në studion Euronews Albania me gazetaren Ilva Tare.
“Kam apeluar vazhdimisht për mungesën e testimeve në qarkun e Shkodrës. Gjykoj se deri tani bashkia e Shkodrës duhet të ketë numrin më të ulët të testimeve, të paktën deri para një dite,” u përgjigj kryebashkiakja Ademi.
Sipas saj fakti që Shkodra është qytet kufitar me disa dogana që komunikon vazhdimisht me Malin e Zi dhe Italinë, kjo rrit gjasat për persona të prekur atje.
“Të gjithë ata që kanë hyrë në Shkodër nuk kanë marrë asistencën e duhur shëndetësore përmes telefonatave që duhej të kryente Ministria e Shëndetësisë apo policia për të siguruar karantinimin e personave të ardhur,” shtoi Ademi.
Kryetarja në detyrë tha se ka pasur sinjalizime të shpeshta nga specialistët e mjekësisë se urgjenca shëndetësore nuk po vepron me efikasitet ndaj rasteve të dyshuara.
Ademi mohoi që shtimi i numrit të rasteve në Shkodër të ketë ardhur si pasojë e lëvizjeve të pakontrolluara, por tha se rastet lidhen me personat e afërm të atyre që janë të konfirmuar me COVID-19.
Kryebashkiakja Ademi foli gjithashtu lidhur me dizinfektimin në Shkodër, ku u shpreh se dizinfektimi kryhet çdo ditë.
Drejtori i Emergjencave Civile Haki Ccako tha sot për Euronews Albania se çdo bashki duhet të përdorë fondin 4 për qind të buxhetit për emergjencat civile.
Kryebashkiakja e Shkodrës i cilësoi komentet e tij si “të rënda” dhe “gënjeshtër e pavend”.
“Nuk mendoj se asnjëra nga bashkitë nuk ka pritur qeverinë deri tani. Qeveria nuk ka shpenzuar asnjë lekë për qeverisjen vendore. Deri tani të gjitha bashkitë e kanë përballuar me mundësitë e veta,” tha Ademi.
Ajo nxiti qeverinë të marrë përsipër angazhimin si pushtet qendror dhe tha se Ministria e Mbrojtjes duhet të ofrojë ndihma për bashkitë që ato të mund të ndihmojnë qytetarët.
Kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës tha se Emergjencat duhet t’i kishin dhënë bashkive 4% ndihma.
“Deri tani kemi ndihmuar 1300 familje ndërsa pakot e ndihmave të qeverisë kanë qenë vetëm 200 të tilla,” u shpreh kryebashkiakja.
Ademi përsëriti gjithashtu thirrjen që qytetarët e Shkodrës të qëndrojnë në shtëpi.