Telegrafi

SHKK për konkursin e fundit: Komisioni nuk ka pasur as edhe presionin më të vogël gjatë përzgjedhjes së kandidatëve

Shërbimi Korrektues i Kosovës thotë se në garë për 50 vende kanë aplikuar 620 kandidatë.

Pas raportimeve për punësime partiake në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ka reaguar ky institucion.

Shërbimi Korrektues i Kosovës thotë se në konkursin për Zyrtar Korrektues, komisioni përzgjedhës duke u bazuar në rregulloren për procedurat e rekrutimit për Zyrtar Korrektues ka zhvilluar procedurën e rekrutimit dhe ka shpallur rezultatet e vlerësimit të kandidatëve.

“Komisioni përzgjedhës ka qenë i pavarur dhe profesional, dhe nuk ka pasur as edhe presionin më të vogël gjatë përzgjedhjes”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Në këtë procedurë të rekrutimit nga 620 kandidatë janë përzgjedhur 50 zyrtarë korrektues.

Lexo po ashtu Haxhiu reagon ndaj raportimeve për punësime të militantëve të LVV-së në SHKK

SHKK njofton tutje se pas publikimit të listës brenda afatit prej 30 ditësh, janë pranuar 16 ankesa, por që pas shqyrtimit ato janë refuzuar.

“Komisioni i Ankesave ka shqyrtuar dhe vendosur në të gjitha rastet,  ankesat janë refuzuar, kandidatët janë udhëzuar që kanë të drejtë ankese në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil”.

Shërbimi Korrektues i Kosovës iu bënë thirrje të gjithë atyre personave të cilët pretendojnë se gjatë procedurës se rekrutimit ka pasur ndonjë shkelje, të njëjtat t`i përcjellin tek organet kompetente.

Ndryshe, edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka mohuar raportimet se në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka pasur punësime të përkrahësve të Lëvizjes Vetëvendosje./Telegrafi/