Site icon Telegrafi

Shkencëtarët konstatojnë: Për të shmangur valën e tretë të pandemisë, Britania e Madhe do të duhej të vaksinonte nga dy milionë qytetarë në javë

Britania e Madhe duhet të vaksinojë dy milionë qytetarë në javë për të shmangur valën e tretë të pandemisë së coronavirusit, pretendojnë hulumtimet e bëra nga shkolla për higjienë dhe medicinë tropikale në Londër, shkruan Reuters.

Mënyra e vetme që të zvogëlohet presioni në repartet e kujdesit intensiv siç është parë gjatë valës së parë, është aplikimi i masave të rreptas në mbarë vendin siç është mbyllja e shkollave gjatë janarit dhe vaksinimi i dy milionë qytetarëve brenda një jave, thuhet ndër tjera në një studim, transmeton Telegrafi.

Autorët e studimit paralajmërojnë se nëse nuk vaksinohen në masë të madhe qytetarët, numri i të infektuarve, hospitalizuarve dhe pacientëve të vdekur gjatë vitit të ardhshëm, do të jetë dukshëm më i madh sesa në këtë vit.

Në anën tjetër, kryeministri britanik Boris Johnson dhe ekipi i këshilltarëve, pretendojnë se varianti i ri i coronavirusit me shpejtësi të madhe po përhapet nëpër këtë vend. Madje ky variant i ri mund të jetë shumë i transmetueshëm  – për 70 për qind – por nuk konsiderohet më vdekjeprurës.

Shfaqja e variantit të ri të coronavirusit ka bërë që autoritetet të ndërmarrin masa të rrepta, duke anuluar kështu vendimin që ishte planifikuar të zbuten masat mbrojtëse në prag të festave të fundvitit.

Mediat britanike gjatë fundjavës kanë raportuar se imunizimi përmes vaksinës që është zhvilluar nga kompania AstraZeneca në Oksford, do të duhej të fillonte më 4 janar.

Kujtojmë që Britania e Madhe është bërë vendi i parë në botë që ka filluar me vaksinim kundër coronavirusit – e vaksinat që i janë dhënë qytetarëve britanikë janë të kompanive Pfizer dhe BioNtech.

Në këtë vend deri më tani janë konfirmuar mbi 2.3 milionë raste me COVID-19, kurse mbi 71 mijë pacientë kanë humbur jetën nga ky virus. /Telegrafi/

 

Exit mobile version