Shkencëtarët francezë u befasuan nga rezistenca ndaj temperaturave të larta të treguara nga coronavirusi SARS-CoV-2 që shkakton sëmundjen COVID-19, në një nga shumë testet laboratorike që ata i realizuan javët e fundit. Në një shkrim të përgatitur nga Universiteti Aix-Marseille në jug të Francës, u vërtetua se coronavirusi mund të mbijetojë në temperaturë deri në 60 gradë celsius për një orë.
Si pasojë e këtij zbulimi në laborator, ekipi akademik i drejtuar nga profesori Remi Charrel e solli virusin pothuajse në pikën e vlimit, në mënyrë që ta vrasin plotësisht, pa lënë asnjë gjurmë. Puna e Charrel u botua në bioRxiv.org, transmeton Telegrafi.
Pasi u nxehën për kohën e paracaktuar për 60 minuta, në temperaturën prej 60°C, llojet virale në mjedisin e pastër vdiqën. Sidoqoftë, e njëjta gjë nuk ndodhi në mjedisin e ndyrë, ku disa prej tyre mbijetuan pavarësisht nga temperaturat e larta.
Ekipi francez zbuloi se një temperaturë më e lartë mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemit. Për shembull, ngrohja e mostrave në 92 gradë Celsius për 15 minuta mund ta bëjë virusin plotësisht joaktiv.
Sipas shkencëtarit, eksperimenti francez dha informacion të vlefshëm, por situata në jetën reale mund të ishte shumë më komplekse sesa simulimet laboratorike.
“Virusi sillet krejt ndryshe me një ndryshim në mjedis. Shumë projekte kërkimore janë ende në proces për të zgjidhur këto enigma”, thuhet në këtë studim.
Kishte shpresë se pandemia në hemisferën veriore do të lehtësohej ndërsa temperaturat u rritën me ndryshimin e stinëve. Disa studime sugjeruan që vendet tropikale raportuan më pak raste të konfirmuara.
Mirëpo disa hulumtime të fundit zbuluan një sinjal alarmues, se COVID-19 mund të vazhdojë të përhapet edhe gjatë verës. /Telegrafi/