Site icon Telegrafi

Shkencëtarët e NASA-s po ndërtojnë sonda robotike për të matur shkrirjen e akullit të Antarktidës

Inxhinierët e specializuar në ndërtimin e anijes kozmike të NASA-s për të eksploruar botët e largëta, po projektojnë një flotë sondash robotike nënujore për të matur se sa shpejt ndryshimet klimatike po shkrin shtresat e mëdha të akullit rreth Antarktidës dhe çfarë do të thotë kjo për rritjen e nivelit të detit.

Prototipi i nëndetëses, i cili po zhvillohet nga Laboratori Jet Propulsion i NASA-s (JPL) pranë Los Angelosit, u testua në kampin laboratorik të Marinës së SHBA-së në Arktik. Ai u vendos nën detin e ngrirë Beaufort në veri të Alaskës në muajin mars, shkruajnë mediat.

“Këta robotë janë një platformë për sjelljen e instrumenteve shkencore në vendet më të vështira për t’u arritur në Tokë”, tha Paul Glick, inxhinier i JPL Robotics dhe hetues kryesor i projektit IceNode, sipas një përmbledhjeje të publikuar në faqen e internetit të NASA-s.

Sondat duhet të ofrojnë të dhëna më të sakta mbi shkallën me të cilën ngrohja e ujit të oqeanit rreth Antarktidës po shkrin akullin bregdetar të kontinentit, gjë që do t’i lejojë shkencëtarët të përmirësojnë modelet kompjuterike për parashikimin e rritjes së ardhshme të nivelit të detit.

Fati i shtresës më të madhe të akullit në botë është fokusi kryesor i afro 1500 akademikëve dhe studiuesve që u mblodhën në Kilin jugor këtë javë për konferencën e 11-të të Komitetit Shkencor për Kërkimin e Antarktidës.

Një analizë e JPL e vitit 2022 zbuloi se rrallimi dhe shpërbërja e raftit të akullit të Antarktidës ka reduktuar masën e tij me rreth 12 trilion tonë që nga viti 1997, dy herë më shumë se vlerësimet e mëparshme.

Nëse do të shkrihej plotësisht, do të ngrinte nivelet globale të detit me rreth 60 metra. /Telegrafi/

Exit mobile version