Në Pallatin e Kulturës në Gjakovë, me datë 13 dhjetor, do të mbahet një Koncert Humanitar, me disa nga yjet e estradës, ndër ta edhe Shkëlzen Jetishi, Mc Kresha, Lyrical Son, e shumë të tjerë.
E gjithë kjo e organizuar në bashkëpunim me shumë vullnetarë dhe organizatën “INNO”.
Në emisionin “PasDite” në RTV Dukagjini vullnetarët Lisi Doli dhe Jon Bytyqi kanë dhënë detaje rreth përgatitjeve të këtij koncerti.
Lisi Doli thotë se ky koncert humanitar ka për qëllim të mbledh fonde për t’iu ardhur në ndihmë familjeve të varfra nga Gjakova e që sipas tij “janë në numër të madh në këtë qytet”.
Koncerti i emëruar “Për një vit më të ndritshëm”, do të moderohet nga Edita Doli-Muhaxheri dhe do të fillojë të premten me 13 dhjetor nga ora 18:00.
Sipas organizatorëve nga fondet e mbledhura do të blihen gjëra ushqimore për rreth 100 familje të varfra.
Vullnetari Jon Bytyqi thotë se edhe viteve të kaluara janë bërë organizime të tilla e që sipas tij kanë pasur mbështetje të gjerë nga të gjithë për t’i ndihmuar të varfrit.
Bileta për këtë koncert humanitar me yjet e estradës kushton vetëm 2 euro. /Telegrafi/