Site icon Telegrafi

Shkëlqimi i Genc Nuzës në Kosovë dhe Evropë, gjyqtari më i mirë i vitit që morri lëvdata edhe nga Andriy Shevchenko

Genc Nuza është zgjedhur gjyqtari më i mirë i vitit 2018 nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Gjyqtari prishtinas ka shkëlqyer si në futbollin vendor ashtu edhe në evropian ku gjykoi në disa ndeshje.

Në një intervistë për Telegrafin, Nuza flet për çmimin e fituar, ndeshjet më të rëndësishme dhe ‘gabimet’ e bëra.

Gjyqtari me emblemë të FIFA-s flet edhe për futbollistin më korrekt në Superligë, ndërsa tregon edhe një prapaskenë interesante me legjendën ukrainase Andriy Shevchenko.

Në pyetjen e Telegrafit se e paguhet mirë nga ndeshjet ndërkombëtare, Nuza nuk pranoi të zbulojë shifra.

Mirëpo pas një hulumtimi u vërtetua se për një ndeshje ndërkombëtare Nuza paguhet deri në 2000 euro varësisht nga ndeshja.

Gjithsesi Kosova është me fat që ka një gjyqtar ndërkombëtar që ka shkëlqyer si në futbollin vendor ashtu edhe në Evropë me paraqitjet e tij.

Jeni zgjedhur gjyqtari më i mirë për vitin 2018, çfarë do të thotë ky çmim për ju?

Genc Nuza: Ky çmim do të thotë shumë, sepse është çmimi i pestë dhe finalizon punën dhe përkushtimin tim gjatë gjithë vitit 2018 duke punuar me profesionalizëm për të arritur nivele sa më të nalta, jo vetëm në Kosovë por edhe në Evropë. Është shumë më e vështirë ta fitosh çmimin përsëri se sa për herë të parë.

Kujt ia dedikoni këto suksese si gjyqtar i futbollit?

Genc Nuza: Këto suksese normalisht ia dedikoj familjes të cilët më kanë qëndruar gjithmonë afër, por pa harruar kolegët dhe gjithë oraganet e FFK-së që më kanë besuar që unë t’i përfaqësoj në arenën ndërkombëtare. Mos të harrojmë edhe ish-presidentin e ndjerë Fadil Vokrri i cili ka bërë shumë që ne të kemi mundësi që të gjykojmë në arenën ndërkombëtare.

Keni ndarë drejtësinë në 26 ndeshje gjithsej në futbollin e Kosovës, cila ka qenë më e vështira dhe cila më e lehta për ju?

Genc Nuza: Nuk kisha pas dëshirë të veqoja ndonjë ndeshje sepse të gjitha ndeshjet kanë rëndësinë e tyre, por normalisht ato ndeshjet e fundit të kampionatit të kaluar ishin delikate kur dihet se ishte kampionati më interesant që nga paslufta.

Çdo kujt i ndodh të gabojë, a të ka ndodhur që pas pamjeve filmike keni parë që keni dhënë vendimin e gabuar në fushë? Nëse po na përshkruaj rastin?

Genc Nuza: Po vetë puna jonë e gjyqtarëve të futbollit është e tillë. Normalisht që edhe mua më ka ndodhur të gaboj por gjithmonë gabimet kanë qenë njerëzore dhe jo vetëm unë por edhe gjyqtar me renome botërore kanë bërë gabime dhe vazhdojnë të gabojnë. Një është e vërtetë, gjyqtari më i mirë është ai gjyqtar që gabon më se paku, jo ai i cili nuk gabon fare sepse nuk ekziston.

Ndeshja në të cilën keni ndarë më së shumti kartonë, të verdhë dhe të kuq?

Genc Nuza: Më së shumti kartonë ishte ndeshja në Evropë për kualifikime për kampionatin evropian U18 mes Irlandes së Veriut dhe San Marinos, ku kam ndarë 11 kartonë të verdhë. Ndërkohë në Kosovë ndeshja Trepça ’89 – Llapi gjithsej tetë kartonë të verdhë dhe dy kartonë të kuq.

Cili është futbollisti më korrekt dhe ai më i mërzitshëm në Superligën e Kosovës?

Genc Nuza: Ne jemi dëshmitar se në futbollin e Kosovës kemi pas rritje të madhe të vetëdijesimit tek të gjithë aktorët e në veçanti këtu kanë meritë vetë futbollistët.

Loja e futbollit ndonjëherë sjellë zemërime kështu që nuk janë të gjithë lojtarët me temperamentin e njëjtë. Futbollistë korrekt ka shumë por pasi po insistoni për emrin do ta veçoja Mentor Zhdrellën, ndërsa nuk konsideroj se ka futbollist të mërzitshëm.

Gjatë këtij viti keni gjykuar tetë ndeshje ndërkombëtare si gjyqtar kryesor? Ku është dallimi mes futbollit kosovar dhe atij ndërkombëtar?

Genc Nuza: Nëse i referohemi atyre ndeshjeve të Kombëtareve A dhe në Ligën e Evropës, dallimi është evident. Tempo e lojës është më e madhe, përgatitja fizike e lojtarëve dhe normalisht infrastruktura e stadiumeve që ndoshta në Kosovë është pengesë ndonjëherë për futbollistët. Mirë që FFK ka filluar të investojë në këtë aspekt dhe shpresojmë që brenda disa viteve gjithë së bashku ta ngritim nivelin e lojës.

Keni referuar ne disa shtete evropiane, si ka qene pritja nga federatat mikpritëse apo futbollistet?

Genc Nuza: Pritja gjithmonë është në nivele të larta zyrtare dhe udhëzimet që federata obligohen nga UEFA dhe normalisht kemi të bëjmë me lojtarë profesionist të nivelit të lartë.

A ia ka pa hairin Genci gjykimit të ndeshjeve në arenën ndërkombëtare sa i përket anës financiare?

Genc Nuza: Nuk paguhemi ekstremist shumë qysh mendojnë shumë njerëz. Nëse hulumtoni mund t’i gjeni edhe shifrat sepse UEFA i publikon të gjitha dhe asgjë nuk mbanë fshehur.

Cila është prapaskena më interesante në ndeshjet ndërkombëtare me ndonjë futbollist apo trajner?

Genc Nuza: Ishte ndeshja Turqi-Ukrainë dhe ishte ndalur ndeshje në një moment kur Andriy Shevchenko mu drejtuar duke më thënë të lutem më respekto sepse unë jam duke të respektuar ty. Unë për një moment nuk e dija se për çka e kishte fjalën, por ai pretendonte për një gabim timin ndërsa unë ia ktheva që edhe unë e respektoj dhe pas mbarimit të ndeshjes erdhi dhe më takoi. Shevchenko më lavdëroi duke më thënë se jam një gjyqtar i mirë duke më uruar suksese dhe normalisht ia ktheva në të njëjtën mënyrë duke i uruar suksese me Kombëtaren e tij.

Çfarë dëshironi nga viti 2019?

Genc Nuza: Për vitin 2019 dëshiroj pik së pari që të gjithë ne si popull të kemi shëndet, lumturi dhe suksese. Ndërsa sa i përket anës sportive, personalisht do të punojë shumë të kem paraqitje sa më të mira si në Kosovë po ashtu edhe në Evropë që të rangohemi sa më lartë në UEFA dhe FIFA si gjyqtarë.

Duke parë përkushtimin e madh të presidentit Agim Ademi dhe kryetarit të komisionit për gjyqtarë Përparim Hasani, shpresoj që do të kemi shumë suksese gjatë vitit 2019. /Telegrafi/

Exit mobile version