Gjilani ka arritur të nxjerrë një barazim ndaj Prishtinës me rezultat 0-0 në ndeshjet e fundit të xhiros së dytë.
Nuk do të ishte asgjë e jashtëzakonshme në kushte normale që këto dy skuadra të luanin baras, por ishte e jashtëzakonshme pasi Gjilani u paraqit me 70% të futbollistëve juniorë.
Redon Ismaili, Edison Kqiku e Oltion Bilalli ishin të vetmit që kishin përvojë në Superligë nga edicioni i kaluar, por edhe mosha e këtyre treve është shumë e re.
Një tjetër futbollist që shkëlqeu në këtë sfidë ishte edhe Eldonit Shaqiri, një mbrojtës i djathtë që në këtë sfidë luajti në qendër të mbrojtjes dhe ishte thjesht fantastik në ndërhyrjet e tij dhe rikuperimin e topave në ajër.
20-vjeçari shkëlqeu dhe paraqitja e tij i ka rënë në sy edhe yllit të madh të futbollit shqiptar Xherdan Shaqirit.
Në fakt Xherdani dhe Eldoniti janë kushërinj të afërt pasi baballarët e tyre janë vëllezër.
Shaqiri ka nxjerr një foto të Eldonitit në ‘Insta Story’ dhe ka duartrokitur paraqitjen e tij të mrekullueshme ndaj Prishtinës.
Mbrojtësi i talentuar e ka nisur karrierën te akademia e Dritës, derisa ka luajtur edhe për disa skuadra si Vitia, Kika e Flamurtari në Ligën e Parë.
Ai këtë vit është bërë pjesë e Gjilanit U21, por në mungesë të futbollistëve debutoi në Superligë duke shfaqur një ndeshje fantastike.
Sigurisht që pas ndeshjes fantastike ndaj Prishtinës, Eldoniti pritet të mbetet pjesë e ekipit të parë dhe pse jo ndoshta do të ketë një të ardhme edhe në Evropë, pasi vëllai i Xherdanit, Erdin Shaqiri është një menaxher i njohur në futbollin evropian dhe mund të ndërmjetësoi transferimin e tij nëse talenti gjilanas vazhdon me paraqitje të mira në elitën e futbollit kosovar. /Telegrafi/