Telegrafi

Shkatërrohet rrjeti i prostitucionit në Durrës

Policia ka bërë të ditur se ka arritur të vërë në pranga tre persona, ndërsa ka shpallur në kërkim tre të tjerë, të cilët dyshohet se ushtronin aktivitetin e paligjshëm të prostitucionit në qytetin e Durrësit, në një ambient të marrë me qira.

“Finalizohet pas 4 muajsh hetime me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, operacioni i koduar “Rent”.

Zbulohet në lagjen nr. 1, Durrës, një ambient i marrë me qira, i përshtatur për veprimtarinë e kundërligjshme të prostitucionit.

Vihen në pranga 3 shtetas dhe vijon puna për kapjen e 3 të tjerëve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Si rezultat i hetimeve të kryera për 4 muaj, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për një rast të shtrytëzimit të prostitucionit, Seksioni për Hetimin e Krimeve dhe Trafiqeve të Paligjshme finalizoi operacionin e koduar “Rent”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

A. R., 33 vjeç, M. D., 25 vjeçe dhe F. P., 25 vjeçe, të tre banues në Tiranë.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit: A. S., 42 vjeç, M. R., 30 vjeç dhe K. M., 24 vjeçe, të tre banues në Tiranë.

Gjatë operacionit, në lagjen nr. 1, Durrës, në ambientin e marrë me qira, që ishte përshtatur nga shtetasit A. R., M. R. dhe A. S., për ushtrimin e prostitucionit nga shtetaset M. D., F. P. dhe K. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe 3 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, të kryera në bashkëpunim”, njofton policia. /Telegrafi/