Një operacion i madh policor i koordinuar nga Drejtoria e Qarkut Antimafia e Prokurorisë Publike të Bolonjës ka çuar në shpërbërjen e një karteli të fuqishëm italo-shqiptar të drogës, duke çuar në arrestimin e 15 personave.
Nga këta, 12 janë dërguar në burg, ndërsa 3 të tjerë janë në arrest shtëpie. Ky operacion ka përfshirë disa provinca italiane, përfshirë Reggio Emilia, ku janë arrestuar 5 persona të cilët akuzohen si pjesë e një organizate kriminale italo-shqiptare të dedikuar për trafikun ndërkombëtar të drogës.
Hetimet e zhvilluara nga autoritetet italiane kanë zbuluar se ky kartel ka importuar dhe shpërndarë sasi të mëdha droge, përfshirë 23 kg kokainë, 6 kg heroinë, 80 kg hashash dhe 240 kg marihuanë, të ardhura nga Shqipëria, Kosova, Ekuadori, Kolumbia dhe Holanda. Që nga viti 2020 vlera totale e drogës të shpërndarë në Itali është e vlerësuar në rreth 8 milionë euro ku gjithashtu, është konfirmuar futja nga Spanja në territorin kombëtar të kartëmonedhave të falsifikuara prej 75,000 euro, 500 euro.
Operacioni është mbështetur nga hetime teknike, duke përfshirë përgjime telefonike dhe elektronike të koduara nëpërmjet përdorimit të Aplikacioni Sky-ECC.
Hetimet kanë zbuluar se ky grup ishte i lidhur ngushtë me grupe të tjera kriminale, përfshirë Ndrangheta dhe krimin e organizuar në Lazio.
Organizata ka pasur një rrjet të mirëstrukturuar, me bazë në Emilia Romagna, por që ka pasur degëzim edhe në Kalabri, Lazio dhe Veneto, duke përfshirë një rrjet të gjerë shpërndarjeje droge në të gjithë territorin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Aktivitetet e paligjshme të grupit janë realizuar me metoda menaxheriale të përpiktë, duke përdorur kompani fasadë për të pastruar fitimet e paligjshme, raporton Euronews Albania. /Telegrafi/