Autoritetet italiane të antidrogës kanë ekzekutuar operacionin e koduar “Sottovuoto”, i cili ka çuar në shkatërrimin e një grupi trafikantësh droge i përbërë nga shtetas shqiptarë e italianë.
Operacioni ka çuar në ekzekutimin e 11 arrestimeve dhe në sekuestrimin e rreth 30 kilogramë drogë.
Grupi kriminal vepronte në territorin e provincës së Romës, në komunat Ardea, Pomezia dhe në gjithë bregdetin roman.
Hetimet e këtij operacioni kanë nisur në maj të 2018 pas arrestimit të një shtetasi italian i cili po transportonte rreth 9 kilogramë marijuanë.
Hetimet zbardhën se ky grup kriminal furnizohej me drogë nga narkotrafikanti i njohur shqiptar Ismail Rebeshi, me veprim në Viterbo, e i njohur me pseudonimin “Ermal”, i cli aktualisht është në masë arresti nga autoritetet italiane.
Operacioni “Sottovuoto” ka vënë në pranga kokën e këtij grupimi kriminal, shqiptarin Maringlen Muçaj, i njohur me pseudonimin “Lele”, 37-vjeç dhe shqiptarin I. R. 38-vjeç.
Ndërsa janë shpallur në kërkim shqiptarët E. L. 25-vjeç, F. A. 34-vjeç, N. E. 33-vjeç dhe vëllai i tij N. A. 31-vjeç.
Ndërsa janë vënë nën masën e arrestit shtëpiak 5 shtetas italianë, anëtarë të këtij grupi kriminal.
Për magazinimin e drogës ata përdorin një fermë bujqësore në zonën Laurentino, në provincën e Romës.
Gjatë hetimeve të operacionit janë sekuestruar 30 kg marijuanë, gjysmë kg heroinë, 37 gramë hashash, 1 pistoletë gjysmë automatike si dhe materiale për konfeksionimin e dozave të drogë. /Ora News/