Telegrafi

Shkarkohet drejtori i Policisë së Beratit

Burime nga media raportojnë se është shkarkuar drejtori i Policisë së Beratit, Edmond Targaj.

Në vend të tij është emëruar Kastriot Skënderi, i cili deri më tani mbante postin e këshilltarit të drejtorit të përgjithshëm në Policinë e Shtetit, raporton A2 CNN.

Shkarkimi erdhi pas nisjes së hetimeve nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të gjithë zinxhirin komandues të policisë së Beratit, territori në të cilin u gjetën sera me kanabis.

Pak ditë më parë Drejtoria e standardeve profesionale në Policinë e Shtetit nisi ecurinë disiplinore për drejtuesit e policisë së Beratit, por edhe për specialistët e zonës të cilët kishin për detyrë të kontrollonin territorin.

Në fshatin Rërëz ishte ngritur një punishte hashashi, ku shkonin të punonin çdo ditë rreth 100 gra nga rrethinat e Tiranës. Por çuditërisht për një kohë të gjatë askush nuk dha një indicie për denoncim.

Operacioni për goditjen e saj u bë nga vet Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ndërsa nisi verifikimin e gjithë zinxhirit komandues të policisë së Berartit. Marrja në pyetje e efektivëve të policisë ka nisur prej disa ditësh ndërsa në hetim për shkelje të rënda janë jo vetëm drejtori I policisë Targaj por edhe shefi i Komisariatit të Policisë Berat, Skrapar e Dimal.