Site icon Telegrafi

Shkarkohet Drejtori i Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti

Nazim Sahiti është shkarkuar nga pozita e drejtorit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës.

Telegrafi mëson se Sahitit sot i është kumtuar vendimi, ndërkaq ai do të transferohet në një pozitë tjetër, si këshilltar në Drejorinë Rajonale të Prishtinës.

Në vend të tij është caktuar Musli Salihu.

Ndryshe, Sahiti ishte largur edhe me herët nga kjo pozitë por me vendim të gjykatë ishte kthyer përsëri si në postin që e kishte drejtuar deri me tani.

Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e ushtruar nga ana e Policisë së Kosovës, në rastin ku kjo e fundit kishte kërkuar anulimin e aktgjykimit të shkallës së parë me të cilin ishte aprovuar padia e ish-shefit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti.

Kësisoj, Apeli e ka lënë në fuqi vendimin e Gjykata Themelores në Prishtinë të marrë më 25 mars 2019, me të cilin ishte anuluar vendimi për risistemimin e Sahitit nga ana e Policisë së Kosovës.

Sahiti, përmes padisë së ushtruar më 7 dhjetor 2018, kishte kërkuar nga gjykata anulimin e vendimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me të cilin ai ishte larguar nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës.

Duke aprovuar padinë e Sahitit, Gjykata Themelore në Prishtinë, e kishte anuluar vendimin e Policisë së Kosovës për sistemimin e Sahitit nga pozita e Drejtorit të Krimeve Ekonomike në Zyrtarë për Kontroll të Kualitetit në Departamentin për Kufij. Themelorja e kishte obliguar Policinë e Kosovës që Sahitin ta kthej në pozitën e mëparshme.

Gjithashtu, Themelorja e kishte obliguar të paditurën që Sahitit t’ia paguajë diferencën e pagës dhe të gjitha benefitet tjera ligjore në shumë prej 761.80 euro.

Kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë në Apel kishte ushtruar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës e cila i kishte propozuar Apelit që lëndën ta kthej në rivendosje apo që të merr vendim me të cilin do ta refuzonte në tërësi padinë e Sahitit.

Duke vendosur lidhur me këtë ankesë, kolegji i Apelit në përbërje nga gjyqtarët, Enes Mehmeti, Frosina Sylejmani dhe Nehat Idrizi, kanë vendosur që të refuzojnë ankesën kurse aktgjykimin e Themelores ta vërtetojnë.

Sipas Apelit, vlerësimi dhe qëndrimi juridik i gjykatës së shkallës së parë lidhur me këtë çështje është i drejtë dhe i ligjshëm pasi aktgjykimi nuk është i përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore.

Po ashtu, sipas Apelit edhe e drejta materiale në këtë rast është zbatuar në mënyrë të drejtë.

Sipas Apelit, aktgjykimi i atakuar është në korrelacion me përcaktimet rregullative të parapara me Udhëzimin Administrativ të Policisë së Kosovës, me numër 04/2017.

Në vendimin e gjykatës së shkallës së dytë thuhet se me rastin e risistemimit në punë të Sahitit kishte pasur tejkalim të së drejtës diskrecionale të eprorit të Sahitit, pasi sipas Apelit, veprimi i tillë nuk është ndërmarrë në frymën e rregullativës që ka paraparë UA 04/2017, për marrëdhënien të punës në Policinë e Kosovës, ngase në raste të tillë duhet të plotësojnë apo ekzistojnë kushte për të mundësuar risisteminin e të punësuarve.

Gjithashtu, Apeli ka refuzuar si të pabazuar edhe ankesën për sa i përket të detyrimeve financiare ndaj Sahitit. /Telegrafi.

Exit mobile version