Një agjenci e OKB-së tha të enjten se rindërtimi i Gazës së shkatërruar nga lufta do të kushtojë rreth 30 deri në 40 miliardë dollarë dhe do të kërkojë një përpjekje në një shkallë të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Vlerësimet fillestare të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin për rindërtimin e Rripit të Gazës i kalojnë 30 miliardë dollarët dhe mund të arrijnë deri në 40 miliardë dollarë”, ka thënë ndihmës sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Abdallah al-Dardari, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Shkalla e shkatërrimit është e madhe dhe e paprecedentë… Ky është një mision me të cilin komuniteti global nuk është marrë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha al-Dardari në një konferencë për shtyp në kryeqytetin jordanez Aman.
Ai shtoi se nëse rindërtimi i Gazës do të kryhet përmes procesit normal“, mund të duhen dekada dhe populli palestinez nuk e ka luksin të presë për dekada”.
“Prandaj është e rëndësishme që ne të veprojmë shpejt për të ristrehuar njerëzit në një mënyrë të denjë dhe për të rikthyer jetën e tyre në normalitet — ekonomikisht, socialisht, në aspektin shëndetësor dhe arsimor”.
“Ky është prioriteti ynë kryesor dhe duhet të arrihet brenda tre viteve të para pas ndërprerjes së armiqësive”.
Zyrtari i OKB-së tha gjithashtu se “72 përqind e të gjitha ndërtesave të banimit janë shkatërruar plotësisht ose pjesërisht”.
Sipas tij, “rindërtimi duhet të planifikohet me kujdes, me efikasitet dhe me fleksibilitet ekstrem, sepse ne nuk e dimë se si do të përfundojë lufta” dhe çfarë lloj qeverisjeje të pasluftës do të vendoset në Rripin e Gazës. /Telegrafi/