Komiteti për Vaksinim është shkarkuar më 14 maj (e premte), ditën kur u shkaktua tollovi nga numri i madh i qytetarëve në hyrje të Qendrës së Vaksimit “1 Tetori” në Prishtinë.
Ndonëse shkarkimi thuhet të ketë ndodhur katër ditë më parë, një gjë e tillë nuk është bërë publike. Burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë kanë bërë të ditur për Telegrafin se po atë ditë kur ishte raportuar për këtë tollovi, Ministria e Shëndetësisë kishte ndërmarrë veprime duke larguar nga detyra personat përgjegjës për organizim.
Ndryshe, për shkak të festës së Fitër Bajramit të enjten është ndërprerë dhënia e vaksinës antiCOVID-19 për grup moshën mbi 65 vjeç në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë.
Mirëpo, të premten në orët e hershme të mëngjesit kjo ka shkaktuar grumbullim të madh të njerëzve që donin të vaksinoheshin.
Kjo tollovi ngjalli edhe pakënaqësi të mëdha në mesin e të moshuarve, të cilët patën edhe kritika të ashpra për organizim.
Ministria e Shëndetësisë kishte reaguar të premten, duke kërkuar nga qytetarët që kenë parasysh se në Prishtinë në sallën “1 Tetori” vaksinohen vetëm qytetarët e Prishtinës në bazë të rekomandimeve konform Planit Shtetëror të vaksinimit.
Pas ndërhyrjes nga ana e Policisë së Kosovës, vaksinimi të premten e 14 majit vazhdoi pa probleme, ndërkaq një ditë më vonë, të shtunën, procesi i vaksinimit ishte i organizuar dhe pa pritje të gjata.
Telegrafi ka dërguar edhe pyetje në adresë të MSH-së, por ata ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht se kanë marrë masa ndaj përgjegjësve për tollovinë e së premtes. /Telegrafi/