Policia e Kosovës ka njoftuar se ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin që shkaktoi një aksident trafiku me dëme materiale dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Sipas njoftimit zyrtar, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Mitrovicë të Veriut ka identifikuar personin dhe automjetin e përfshirë në aksidentin e ndodhur më 17 shkurt 2025 në rrugën Nacional Mitrovicë-Jarinjë, konkretisht në fshatin Dren. Pas shkaktimit të aksidentit mes dy automjeteve, drejtuesi i dyshuar ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas hetimeve dhe verifikimeve profesionale nga zyrtarët policorë, i dyshuari është identifikuar si D.V., i lindur në vitin 1972.
Ai është intervistuar në lidhje me aksidentin dhe largimin nga vendi i ngjarjes, ndërsa rasti është proceduar sipas procedurës së rregullt dhe është dërguar në Gjykatën për Kundërvajtje.
Gjithashtu, gjatë verifikimeve në bazën e të dhënave të Policisë, është konstatuar se i dyshuari po drejtonte automjetin pavarësisht një mase ndalimi për ngasje.
Për këtë arsye, ndaj tij është shqiptuar kundërvajtje sipas Ligjit të Trafikut Rrugor.
Policia e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj për të ofruar shërbime ndaj qytetarëve në të gjithë territorin e vendit, duke siguruar zbatimin e ligjit pa dallim./Telegrafi/