Telegrafi

Shkak i një mosmarrëveshje në komunikacion, sulmohet fizikisht gjyqtarja e Gjykatës në Mitrovicë nga një zyrtar policor

Gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë ka qenë cak i një sulmi fizik nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, rast ky i cili ka ndodhur të martën në Leposaviq.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokuroria e Mitrovicës, e cila në një përgjigje për Telegrafin ka konfirmuar se rasti është iniciuar si “Sulm”.

“Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, dhe është iniciuar në drejtim të veprës penale “Sulmi”. Dyshohet që rasti ka ndodhur pas një mos marrëveshje të çastit në komunikacion”, ka thënë për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni.

Ai ka shtuar se rasti është duke u hetuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës, dhe i njëjti është në fazë të grumbullimit të informatave.

Telegrafi ka kontaktuar edhe me Inspektoratin Policor të Kosovës, të cilët në një përgjigje me shkrim kanë bërë të ditur se janë duke e trajtuar rastin dhe se veprimet e mëtejme do të ndërmerren në koordinim me prokurorin.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se IPK është njoftuar për këtë rast dhe hetuesit e IPK-së janë duke e trajtuar . Veprimet tjera do të ndërmerren bazuar në fushëveprimin ligjor të IPK-së dhe në koordinim me prokurorin kompetent”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Ndërkaq policia përmes raportit 24 orësh ka njoftuar vetëm se rasti ka ndodhur mëngjesin e së martës duke mos dhënë detaje tjera.

“Leposaviq 22.08.2022-08:20. Me 24.08.2022 është raportuar se viktima femër kosovare është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull Kosovar”, thuhej në raportin e policisë. /Telegrafi/