Nga: Elona Caslli
Isha 30 vjeçe. Në të gdhirë erdhën dhe na morën. Na çuan në Tepelenë. Foshnja ime gjashtë muajsh. Nuk kisha gji. Dhimbja e madhe ma ndërpreu. Kur mbërritëm në Tepelenë, kisha me vete veç pak sheqer futur në një kavanoz. Më duhej ujë që ta përzieja me sheqerin dhe t’ia jepja foshnjës.
I kërkoj rojës së kampit ujë dhe ia shpjegoj se më duhet për të ushqyer fëmijën tim. Përgjigja që më dha ishte: Nuk ka ujë për fëmijët e armiqve.
Trishtohem. Kthehem e rraskapitur në një cep të kampit. Foshnja ime qan dhe unë qaj bashkë me të. I kthej sytë nga qielli dhe kërkoj Zotin. Ky vend më duket aq i largët sa duket se Zoti e ka harruar.
Përpëlitem mes lotësh e dhimbjes që më shkon deri në kockë dhe përkund në krahë foshnjën time me shpresën se gjumi do mposhtë urinë e saj.
Në një çast një vetëtimë shfaqet në qiell të hapur dhe krejt papritur fillon një rrebesh shiu. Marr një kavanoz dhe nxitoj të dal. E mbush me ujin e shiut dhe përziej me sheqerin.
Foshnja ime ushqehet me ujin e shiut. Kthej sytë nga qielli dhe përgjumem mes Zotit dhe shiut.
Post Scriptum: Ketë histori ma tregoi sot nipi i zonjës në tregim. Unë i vesha me fjalë faktet dhe respektova vullnetin e zotërisë për të qëndruar anonim.