Telegrafi

Shitet “qyteti fantazmë” në Australi, u braktis 70 vite më parë nga banorët – fsheh një histori të errët

Cossack, qytet ky në Australi që është braktisur 70 vite më parë, është nxjerrë në shitje.

Bëhet fjalë për qytetin e largët në pjesën perëndimore të Australisë, ku banorët e tij punonin në industrinë e perlave – por që me kalimin e kohës e kanë braktisur për të vazhduar jetën në qytetet e mëdha, transmeton Telegrafi.

Industria e bazuar në mbledhjen e perlave çoi edhe në themelimin e këtij qyteti gjatë viteve 1880-1895, ku asokohe kishte më shumë se njëmijë punonjës dhe 57 anije për “peshkim të perlave”.

Cossackun akoma e vizitojnë mysafirë dhe turistë të shumtë që preferojnë ecjet nëpër shtigjet e kodrave në afërsi të plazhit. Përveç kësaj, është i rrethuar me rezervatin bregdetar natyror

Ky qytet ka një histori të errët – në të janë kryer krime të shumta mbi popullatën autoktone gjatë rritjes së këtij qyteti. Të bardhët që kishin shkuar atje e kanë shfrytëzuar në masë të madhe popullatën e atjeshme, shpesh duke i bërë robër dhe duke i detyruar të zhyten nëpër thellësi në kërkim të përlave.

Megjithatë, qyteti u braktis 70 vite më parë dhe tani ka vetëm dy banorë, Rice Osterlund dhe gruaja e tij Shane Erwii, që kanë në pronësi një kafene. Klientët e tyre janë alpinistët që vizitojnë shtigjet e kodrave në afërsi të plazhit dhe të gjithë të apasionuarit e kalërimit. .

I tërë qyteti është në pronësi të qeverisë, por ai së fundmi është nxjerrë në shitje – por pa specifikuar ndonjë çmim. Qeveria shqyrton vetëm ofertat e atyre që janë të interesuar për investime që rrisin zhvillimin e turizmin. E afati për të aplikuar është 20 nëntori. /Telegrafi/