Telegrafi

Shiste kokainë me doza të vogla në Lushnje, arrestohet 39-vjeçari dhe vihen në hetim blerësit

Një 39-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lushnjës, pasi ka rezultuar se shiste lëndë narkotike kokainë, të ndarë në doza të vogla, në pjesë të ndryshme të qytetit.

Policia njofton se nën hetim u vunë dhe 10 shtetas të tjerë, të dyshuar blerës të lëndës narkotike.

Gjatë operacionit u sekuestrua dhe një shumë parash e përfituar nga kjo veprimtari kriminale, 4 celularë si dhe 1 automjet.

Materialet në ngarkim të 39-vjeçarit i kaluan policisë për veprime të mëtejshme.

“Në kuadër të këtij operacioni, u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e shtetasit A. M., 39 vjeç, banues në Lushnjë. Bazuar në provat e siguruara si rezultat i hetimeve, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, më datë 30.01.2023, ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi ka rezultuar se 39-vjeçari shiste në zona të ndryshme të Lushnjës, lëndë narkotike kokainë të ndarë në doza.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit: S. G., 26 vjeç, E. D., 25 vjeç, banues në Kolonjë, L. K., 32 vjeç, M. M., 40 vjeçe, banuese në Rrapëz, R. K., 19 vjeç, banues në Halilaj, A. H., 27 vjeç, banues në Pirrë, F. M., 32 vjeç, banues në Vajkan, A. M., 24 vjeç, banues në Gorre, L. P., 21 vjeç, banues në Bubullimë dhe A. Dh., 24 vjeç, banues në Verri, pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se blinin doza të lëndës narkotike kokainë, që shiste shtetasi A. M”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/