Site icon Telegrafi

Shirat vdekjeprurës, Kurti i ofron ndihmë Italisë

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se me pikëllim po i ndjek zhvillimet në Itali ku 13 persona kanë mbetur të vdekur nga përmbytjet teksa rreth 13 mijë persona janë evakuuar.

Kurti ka shprehur ngushëllime për të gjithë jetët e humbura teksa ka thënë se Kosova është e gatshme të jap ndihmën e saj aty ku nevojitet.

“Me shumë pikëllim dëgjova për humbjen e jetëve dhe shkatërrimet që kanë shkaktuar përmbytjet në rajonin Emilia-Romagna të Italisë. Mendimet tona janë me qytetarët italianë dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë aty ku nevojitet”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ndryshe, të paktën 13 persona kanë vdekur nga vërshimet në rajonin verior italian Emilia-Romana, duke shkaktuar dëme në vlerë prej miliarda eurosh.

Guvernatori rajonal tha se sektori i bujqësisë është goditur më së shumti.

Shirat e rrëmbyeshëm këtë javë kanë goditur pjesën lindore të këtij rajoni, të njohur si Romana, duke shkaktuar mbi 300 rrëshqitje të dheut, duke nxjerrë nga shtrati 23 lumenj dhe duke shkatërruar 400 rrugë. Si pasojë e reshjeve, 23 komuna janë përmbytur.

“Ne po përballemi me një tërmet të ri”, tha presidenti i rajonit Emilia-Romana, Stefano Bonaccini, duke kujtuar tërmetin e vitit 2012 që kishte shkatërruar mijëra shtëpi në këtë rajon./Telegrafi/

Exit mobile version