Mësimi në dy gjuhë do të zbatohet në disa klasa të të gjitha shkollave të mesme të Shkupit. Kjo metodë për arsim të integruar është një nismë e Bashkisë së Shkupit, të cilët thonë se nxënësit maqedonas do të mësojnë në shqip dhe anasjelltas. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës zhvillimi i mësimit në grupe të përbashkëta nga etnitete të ndryshme do t’i paraprijë edhe rekomandimeve në fushën e arsimit të Komisionit të Venecias. Kreu i Bashkisë së Shkupit Petre Shilegov tha se nxënësit duke larguar paragjykimet në baza etnike do të miqësohen natyrshëm gjatë mësimit.
“Unë jam i bindur se në natyrën e njeriut është frika nga e panjohura. Njohja njëri me tjetrin do të mundësoj që t’i tejkalojmë sterotipet dhe të jetojmë në konceptin ‘Një shoqëri për të gjithë’. Për këto arsye Qyteti i Shkupit ka hartuar strategjinë për arsim të integruar që do të zbatohet në 5 vitet e ardhshme, në vend të ndasive në mes fëmijëve në baza etnike në klasa dhe ndërrime të ndryshme”, tha Petre Shilegov.
Ky projekt i mbështetur nga USAID këtë vit shkollor është duke u zbatuar në dy gjuhë në grupe të ndryshme ku janë të përfshirë gjithsej 450 nxënësve të udhëhequr nga 25 mësimdhënës.
“Misioni ynë është që të mbështes konceptin e arsimit të integruar për një kohë të gjatë. Nxënësit me gjuhë të ndryshme amtare dhe nga komunitete të ndryshme bëhen bashkë, mësojnë bashkë dhe kështu krijojnë ardhmërinë së bashku. Ne besojmë se të rinjtë luajnë rolin kyç në ndërtimin e një shoqërie pa paragjykime dhe diskriminime”, pohoi Erik Janovski, përfaqësues i USAID-it.
Nga Bashkia e Shkupit thonë se paralelisht zbatojnë edhe projektin “Dhuna prodhon dhunë” që në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë për rini dhe sport organizojnë grupe për të marr masa parandaluese kundër përdorimit të dhunës dhe gjuhës së urrejtjes nëpër shkollat e mesme të kryeqytetit./Alsat/