Një film horror tajvanez i titulluar “Incantation” është bërë befas një hit viral në TikTok, duke bërë që përdoruesit të sfidojnë njëri-tjetrin për të parë filmin e frikshëm.
Me regji të Kevin Ko, filmi u publikua në Netflix në fillim të këtij muaji dhe tregohet kryesisht përmes pamjeve të gjetura, të ngjashme me filmat si “The Blair Witch Project” dhe “(REC)”.
“Incantation”, i cili tashmë është bërë filmi horror me fitimet më të larta të të gjitha kohërave në Tajvan (që u shfaq në kinematë në vendin aziatik vitin e kaluar) flet për një grua që duhet të mbrojë vajzën e saj, pasi ajo mallkohet për thyerjen e një tabuje fetare.
Filmi, i cili ka një vlerësim prej 63 për qind në Rotten Tomatoes, thuhet se ka grumbulluar më shumë se 10 milionë orë shikime në Netflix, ndërsa ky numër duket se do të shtohet me rritjen e trendit në TikTok.
Trendi nisi pasi njëri nga përdoruesit e rrjetit social të lartpërmendur realizoi një video për filmin që tashmë është shikuar më shumë se 13 milionë herë.
Në klip, ai thotë: “Nuk më intereson se sa i vështirë apo i desensibilizuar është mendimi juaj, nuk ka asnjë mënyrë që ta shikoni gjithë filmin nga fillimi në fund pa anashkaluar të paktën një skenë”.
Shumë përdorues në TikTok tani po sfidojnë veten dhe po përpiqen të shikojnë të gjithë filmin, i cili zgjat vetëm 1 orë e 51 minuta, pa anashkaluar asnjë skenë.
Duke gjykuar nga reagimet, filmi i lë njerëzit mjaft të traumatizuar. /Telegrafi/
@notjustbored_ 1hr 16min 22sec was the hardest part for me to watch