Real Madridi edhe zyrtarisht përmes një komunikate në rrjetet sociale ka bërë me dije se mbrojtësi brazilian Eder Militao ka pësuar humbje të ligamentit.
Reprezentuesi brazilian u lëndua në ndeshjen që Real Madrid e luajti ndaj Osasunës në kuadër të javës së 13-të në elitën e futbollit spanjoll.
“Pas analizave të bëra sot tek lojtari ynë Eder Militao, ai është diagnostikuar me një çarje të plotë të ligamentit të kryqëzuar të përparmë me përfshirje të meniskut në këmbën e djathtë”, thuhej në njoftimin e Realit.
Në momentin që braziliani pësoi lëndimin, ai filloi të bërtiste dhe të kërkonte ndihmë.
Duke e parë në këtë gjendje dhe duke e mësuar shkallën e lëndimit të bashkëkombësit të tij, Vinicius Junior shpërtheu në lot.
Militao po ashtu ishte në lot, pasi e dinte se për të ka përfunduar sezoni, ndoshta edhe karriera e tij te Real Madridi.
Kjo është hera e dytë që Militao pëson një lëndim të ngjashëm pasi edhe vitin e kaluar ai kishte pësuar këputje të ligamentit të gjurit.
Real Madridi do të detyrohet të futet në treg në janar për të gjetur një mbrojtës, pasi braziliani është ka lënë një boshllëk të madh.
Përveç tij, në po këtë ndeshje u lënduan edhe Lucas Vazquez – që pritet të mungoj deri në tri javë dhe Rodrygo së paku një muaj. /Telegrafi/