Policia e Kosovës në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për të diskutuar koordinimin e veprimeve në rast të rreziqeve nga zjarret gjatë sezonit veror.
Në këtë takim u theksua se zjarrvëniet me qëllim, si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia, janë vepra penale dhe dënohen me ligj.
Duke marrë parasysh temperaturat e larta që karakterizojnë këtë sezon, rritja e rrezikut për shfaqjen e zjarreve dhe përhapjen e shpejtë të tyre është potenciale, prandaj është e domosdoshme raportimi dhe reagimi ndaj rreziqeve të tilla.
Për të marrë masa për parandalimin e zjarreve dhe për të koordinuar veprimet në rast emergjence, sot në Prishtinë, përfaqësues të Policisë së Kosovës, Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, zhvilluan një takim me Drejtorin e Departamentit për Siguri Publike, Nënkolonel Arbnesh Ajvazi.
Gjatë këtij takimi, u diskutua për modalitetet e veprimit në rast të raportimit ose identifikimit të zjarreve.
Përfaqësues të ministrisë përkatëse përmendën gjithashtu mundësinë e sanksionimit me mos përfshirje në programet e subvencionimit për ata pronarë toke që shkaktojnë zjarre në sipërfaqet e tyre. Autoritetet apelojnë për përgjegjshmëri nga qytetarët, veçanërisht ata që kanë në përdorim tokë hamullore, duke theksuar se çdo zjarr-vënie do të ketë pasoja ligjore.
Në këtë kontekst, qytetarët inkurajohen që të raportojnë çdo rast të zjarrit në numrat emergjentë pa pagesë: AME (112), Policia (192) dhe Zjarrfikësit (193), për të siguruar një reagim të shpejtë dhe efikas.
Po ashtu, kërkohet bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe autoritetet tjera në identifikimin e personave që mund të jenë shkaktarë të zjarreve, të cilat rrezikojnë sigurinë e përgjithshme dhe dëmtojnë ambientin.
Policia e Kosovës thotë se është e angazhuar të hetojë çdo rast dhe të iniciojë procedura ligjore për të gjithë ata që dyshohet se janë të përfshirë në zjarr-vënie apo veprime që rrezikojnë sigurinë publike./Telegrafi/