Site icon Telegrafi

Shikohen video-incizimet nga momenti i vrasjes së 22-vjeçarit në Volljakë të Klinës

Në seancën gjyqësor ndaj të akuzuarve Nderim, Basri, Agron, Ardit, Bahri dhe Ylli Gashi, për vrasjen e tani të ndjerit F.H., janë shikuar video-incizimet, ku prokuroria pretendon të vërtetohen faktet dhe rrjedhja e ngjarjes së natës kritike, ndërsa mbrojtja thotë se pamjet e personave janë të paqarta.

Fillimisht në seancën gjyqësore, janë lëshuar të gjitha video-incizimet të cilat prokuroria pretendon të vërtetohen faktet të cilat kanë treguar rrjedhën e ngjarjes së natës kritike dhe atë nga pikënisja e të akuzuarve e deri  tek vendi kryesor i ngjarjes ku erdhi edhe vrasja.

Përgjatë shikimit të video-incizimeve, mbrojtësi i të akuzuarit Basri, avokati Ruzhdi Gashi, tha se të gjitha pamjet ku shfaqej i mbrojturi i tij, janë të paqarta dhe nuk mund të identifikoi identitetin e personit në video.

Të njëjta pretendime kishte edhe mbrojtësi i të akuzuarit Nderim, avokati Emrush Kastrati lidhur me pamjet e të mbrojturit të tij, ku ky i fundit akuzohet dhe shihej në video se kishte shtënë me armë.

Tutje, vërejtje në video-incizime kishte edhe i akuzuari Agron Gashi, i cili tha se pamjet tjera janë të fshira, ku sipas tij, i dëmtuari Mahmut Hoxha kishte qenë ai që kishte nxjerrë armën dhe e ka goditur atë.

Ndryshe, në video-incizimet e lëshuara shihej se të akuzuarit Nderim, Agron, Ardit, Bahri Gashi kishin sulmuar dhe goditur me lopata dhe mjete tjera tre vëllezërit Hoxha, kurse i akuzuari Basri shihej duke vëzhguar terrenin që nga fillimi e deri në fund, si dhe duke e shikuar të gjithë pamjet e përleshjes dhe vrasjes.

Pas administrimit të video-incizimeve, dhe pasi që nuk kishte me ndonjë video tjetër për të shikuar seanca u ndërpre me përfundimin e orarit të rregullt të punës,

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e përmirësuar më 3 shkurt 2023, ngarkon gjashtë të akuzuarit: Nderim Gashi, Basri Gashi, Agron Gashi, Ardit Gashi, Bahri Gashi dhe Ylli Gashi, për “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Nderim, Basri, Agron, Ardit dhe Bahri, më 28 prill 2022, rreth orës 20:30, në fshatin Volljakë, Komuna e Klinës, në parkingun e restorantit “Villa Park”, të përgatitur paraprakisht dhe duke vepruar në bashkëkryerje, e me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, privojnë nga jeta viktimën F.H., duke vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë. Kurse, Ylli Gashi akuzohet se ndihmoi në kryerjen e vrasjes, duke siguruar armën për të pandehurin Nderim Gashi., raporton betimiperdrejtesi.

Exit mobile version