Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës gjatë kësaj jave parashikon mot të vranët dhe reshje shiu.
Vranësirat do të jenë gjithnjë në zhvillim, duke krijuar kushte për vranësira konvektive të cilat nëpër disa vende, ditën e martë do të përcjellën me shkarkime elektrike.
“Vendi ynë do të jetë nën ndikimin e masave relativisht të ftohta dhe të lagështa të ajrit. Në këto kushte tri ditët e para të javës do të karakterizohen me mot kryesisht të vranët dhe me reshje shiu… Vlera minimale e temperaturës do të lëvizë ndërmjet 3-7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 9- 16 gradë Celsius”, thuhet në njoftim.
Shtypja atmosferike do të jetë labile me ulje dhe ngritje rreth vlerave të normales. Do të fryjë erë nga verilindja dhe veriperëndimi me shpejtësi 1-8m/s.
Pas ditës së premte do të ketë kushte tjera meteorologjike, duke bërë që temperaturat maksimale të rriten rreth 18-19 gradë Celsius. /Telegrafi/