Moti i keq me reshje shiu dhe erë ka shkaktuar sot probleme në rrjetin e shpërndarjes në disa zona të Tiranës.
OSHEE njofton se ka probleme në disa fidera të NST Kashar, Qendër dhe Traktora.
Për pasojë, pa energji elektrike kanë mbetur pjesërisht zona e Yzeberishtit, Bulevardi “Migjeni” Kashar, rrugët “Azem Meshi” dhe “Engjell Mashi”.
Në zonën Ali Demi raportohet për dëmtim rrjeti nga palë të treta. Pa drita janë zonat rreth “tregu elektrik”, “burgu i grave” dhe rruga “Sali Nivica”.
Sipas OSSH, dy grupe pune ndodhen në terren, por moti i keq ka vështirësuar punën e tyre duke sjellë vonesa në riparimin sa më shpejt të avarive./Tch