Site icon Telegrafi

SHGM: Qeveria të përmbahet nga vlerësimi i punës së RTVM-së

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka reaguar ndaj konkluzës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nga 8 maji, me të cilën vlerësohet puna e Radiotelevizionit të Maqedonisë, në të cilën thuhej se RTVM nuk i ka përmbushur standardet profesionale dhe etike për sigurimin e pavarësisë redaktuese, paanshmërisë dhe objektivitetit gjatë informimit.

“Është e pakontestueshme se puna e RTVM-së në të kaluarën është kritikuar në shumë raporte ndërkombëtare se nuk ka arritur të raportojë në mënyrë profesionale për ngjarjet me interes publik. Përkujtojmë se në raportin e Reporterëve pa kufi ishte e theksuar se duhet të zbatohen reforma në RTVM dhe se servisi publik edhe më tutje vazhdon t’u shërbejë interesave të një partie politike”.

“Theksojmë se sipas Nenit 104 të LSHMAA, Radiotelevizioni i Maqedonisë është i pavarur nga çdo autoritet shtetëror, entitet tjetër ligjor publik ose kompani tregtare dhe duhet të jetë i paanshëm në politikat editoriale”, thonë nga SHGM.

Lexo po ashtu Qeveria jep mendim negativ për RTVM, ka humbje prej 26 milionë denarë

Megjithatë, ata theksojnë se Qeveria nuk është institucion kompetent që duhet të vlerësojë punën e medias.

“Apelojmë qeverinë të përmbahet nga vlerësimet e standardeve profesionale të medias, sepse duke bërë atë ajo tejkalon kompetencat e saj dhe merr përsipër punën e organeve (vetë)rregulluese. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje Kuvendit të RMV urgjentisht të vazhdojë procesin për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Programor të RTVM si parakusht për reformimin e servilit publik, i cili do të kontribuojë në profesionalizimin e saj, ngritjen e standardeve dhe zhvillimin e rrjetit të korrespondentëve”, thuhet në reagimin e SHGM-së./Telegrafi/

Exit mobile version