Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka marr vendim që ta shfuqizojë vendimin që ndalonte përkohësisht për eksport disa nga produktet themelore agro-ushqimore.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e 69-të të Qeverisë pati thënë se ky vendim po merret në një situatë kur është vështirësuar zinxhiri i furnizimit, i ndikuar nga invazioni dhe agresioni ushtarak rus në Ukrainë.
“Invazioni dhe agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka ndikuar në zinxhirin e furnizimit me produkte ushqimore në Evropë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me institucionet përkatëse dhe akterët në treg ka përcjellë rritjet e çmimeve të produkteve në vend dhe evidencën e eksporteve të mallrave. MINT ka sjell vendimin që ndalon eksportin dhe ri-eksportin të disa produkteve agro-ushqimore”, pati thënë Kurti.
Kurse, kryetari i Bordit të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Berat Mustafa gjatë një interviste për Telegrafin ka theksuar se vazhdimi i kësaj mase po i rrezikon bizneset në humbjen e tregut.
“Ne kemi qenë dakord me Qeverinë, në fillim të prillit, ku ishte një panik në popull, në regjion e në Evropë që të merren disa masa për një kohë të caktuar që të mbrohen konsumatorët e që largohet paniku për produktet esenciale. Mirëpo, nuk jemi të pajtimit me ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdari që këto masa të zgjasin pesë muaj, pra janë masa të stërzgjatura, ku prodhuesit tonë që atë treg që e kanë pasur me rastin e eksportit kanë filluar ta humbin”, ka theksuar Mustafa.
Sipas tij, Kosova kishte mbetur i vetmi vend në rajon që vazhdon që t’i ketë këto masa.
Ndryshe, Telegrafi kishte raportuar lidhur me këtë vendim. /Telegrafi/