Site icon Telegrafi

Shfuqizohet lustracioni në Maqedoni, të dëmtuarit mund të kërkojnë kompensim

Në seancën e sotme, Qeveria miratoi zgjidhjen ligjore të propozuar nga Ministria e Drejtësisë që do të bënte të pavlefshme vendimet e lustracionit dhe pasojat juridike. Bëhet fjalë për propozim ligj që shpall pavlefshmërinë dhe anulimin e akteve ligjore, veprimeve, masave dhe pasojave juridike të procedurave të lustracionit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Me këtë Ligj, korrigjohet një padrejtësi e gjatë e bërë ndaj personave që ishin viktima të procedurave para Komisionit për verifikimin e fakteve dhe autoriteteve të tjera kompetente, për të cilat opinioni ishte në dijeni edhe përmes rasteve të porositura të lustracionit, të përmendura në bisedat telefonike të publikuara. Në bazë të këtij Ligji, të gjitha aktet ligjore, veprimet dhe masat e miratuara ose të marra nga Komisioni për verifikimin e fakteve dhe autoriteteve të tjera kompetente janë plotësisht të pavlefshme. Në të njëjtën kohë, ky ligj shfuqizon plotësisht të gjitha pasojat juridike që kanë prodhuar akte juridike, veprime dhe masa”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Personat e dëmtuar nga aktet e miratuara dhe vendimet e Komisionit për verifikimin e fakteve dhe autoriteteve të tjera kompetente ose trashëgimtarëve të tyre nëse janë të vdekur kanë të drejtën e kompensimit duke ngritur padi përpara gjykatës kompetente kundër Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përputhje me dispozitat e Ligjit për detyrimet, brenda 60 ditëve nga dita e hyrjes në fuqi e këtij ligji.

“Kjo qeveri vazhdon të korrigjojë padrejtësitë. Proceset e porositura nga e ashtuquajtura lustracion do të mbeten vetëm një memorie e keqe nga koha e regjimit. Në seancën e sotme të rregullt kemi konfirmuar tekstin e propozim ligjit që deklaron pavlefshmëri dhe anulimin e akteve ligjore, veprimeve, masave dhe pasojave juridike të procedurave të lustracionit”, shkruan kryeministri Zoran Zaev në Facebook./Telegrafi/

Exit mobile version