Loja vetëvrasëse “Balena e kaltër” e cila tashmë ka marrë jetët e qindra fëmijëve në mbarë botën, është raportuar se ka mbërritur edhe në Kosovë.
Mbrëmë në media është thënë se dy raste të kësaj loje janë raportuar në komunën e Gjilanit, ku bëhet fjalë për dy fëmijë të cilët janë nxënës të klasës së tretë në shkollën fillore “Abaz Ajeti”.
Lidhur me këtë zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani i ka thënë Telegrafit se deri në këto momente nuk kanë pranuar ndonjë informatë zyrtare.
“Ne nuk e kemi neglizhuar informatën që është dhënë mbrëmë nga mediat. I kemi dërguar njësitet tona në atë shkollë dhe janë duke diskutuar me arsimtarët atje, por për momentin zyrtarisht nuk ka ndonjë informacion rreth lojës vetëvrasëse ‘Balena e kaltër’”, ka thënë Hashani.
Kujtojmë se dje gjatë ditës Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim ku u ka bërë thirrje prindërve që të jenë te kujdesshëm ndaj përdorimit të rrjeteve sociale nga ana e fëmijëve të tyre, për shkak të përhapjes së kësaj loje.
“Balena e kaltër” e ka origjinën në Rusi, por edhe pse përshkruhet si “lojë”, në fakt është diçka më shumë.
Adoleshentët që pranojnë të jenë pjesë e sfidës së “Balenës…”, inkurajohen të kryejnë një sërë detyrash, ku secila është e tmerrshme. Detyra e fundit, e 50-ta, është që të kryejnë vetëvrasje nëse dëshirojnë të “fitojnë”.
Kjo lojë tashmë ka prekur edhe rininë shqiptare, për çka janë raportuar disa raste, por që për fat janë shpëtuar nga më e keqja.
Autoritet e sigurisë në mbarë botën po u bëjnë thirrje prindërve që të jenë të kujdesshëm me fëmijët e tyre dhe që të flasin më shumë për jetët e tyre jashtë shtëpisë. /Telegrafi/