Site icon Telegrafi

Sheshel parashikon shkëputjen e Vojvodinës dhe autonominë e Rashkës

Kryetari i Partisë radikale serbe (SRS) Vojislav Sheshel ka vlerësuar sot se vazhdimi i integrimeve evropiane do të sjellë shkëputjen e Vojvodinës dhe vendosjen e autonomisë në rajonin e Rashkës.

“Në Bashkimin Evropian janë përqendruar të gjithë armiqtë serbë që kanë marrë pjesë në bombardimin dhe në copëtimin e vendeve serbe. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë përgjegjëse për grabitjen e Republikës serbe të Krainës dhe të Kosovës, ndarjen e Republikës së Maqedonisë e të Malit të Zi dhe pushtimin e Republikës serbe”, ka thënë Sheshel, njofton “Veçernej Novosti”, transmeton Koha.net.

SRS ka kumtuar se Sheshel ka vlerësuar se kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk di ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe ka kritikuar politikën ekonomike të Qeverisë sepse bazohet në subvencionimin e firmave të huaja që punësojnë punëtorë vendës.

Ai ka thënë se Serbisë në sferën ekonomike i përgjigjet vetëm bashkëpunimi intensiv me Rusinë dhe ka shtuar se çdo gjë që prodhohet në Serbi mund të shitet në Rusi dhe ka shtuar se është e domosdoshme të bëhen stimulime shtetërore për eksportim në tregun rus.

Exit mobile version