Sheryl Sandberg, Shefja Operative (COO) e Meta-s dhe e dyta në komandë për një kohë të gjatë pas themeluesit, Mark Zuckerberg, tha të mërkurën se do të largohej nga pozita e saj pas 14 vjetësh.
Sandberg tha se do të largohej nga Meta këtë vjeshtë dhe se planifikon të vazhdojë të shërbejë në bordin e drejtorëve të kompanisë. Meta zotëron Facebook-un, Instagramin, WhatsApp-in dhe aplikacione të tjera, transmeton Telegrafi.
“Kur mora këtë punë në vitin 2008, shpresoja që do të isha në këtë rol për pesë vjet. 14 vjet më vonë, është koha që unë të shkruaj kapitullin tjetër të jetës sime”, shkruan Sandberg në një postim në Facebook.
Ajo shtoi se “nuk ishte plotësisht e sigurt se çfarë do të sjellë e ardhmja”, por se do të fokusohej në fondacionin dhe filantropinë e saj.
Sandberg tha gjithashtu se do të martohej këtë verë.
Dorëheqja e saj nga kjo pozitë vjen derisa kompania vazhdon të përballet me një stuhi financiare dhe të zhvendoset nga mediat sociale në realitetin virtual. /Telegrafi/