Sekretari i përgjithshëm i Nismës për Kosovës, Bilall Sherifi ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit, Isa Mustafa se edhe gjatë vitit 2017 Kosova mund të mbetet pa liberalizim të vizave nëse në muajin shkurt nuk ratifikohet demarkacioni.
Sherifi ka deklaruar se kriteri kryesor për liberalizimin e vizave është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Qeveria në vend se të jep llogari pse nuk i ka arritur rezultatet e duhura në plotësimin e kushtit për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, ajo për dështimet e veta përpiqet t’ia hedhë fajin opozitës”, ka thënë Sherifi për lajmi.net.
Duke folur për demarkacionin si kriter, ai ka potencuar se qeveria duhet ta pranojë rishikimin e kësaj çështje përndryshe vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
“Ndërsa, sa i përket këtij versioni të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, qeveria duhet sa më shpejt të pranojë rishikimim e saj, nëse jo, atëherë le të jep dorëheqje në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, u shpreh Bilall Sherifi
Sipas tij kur nuk arrihet konsensusi, rruga e vetme për ta parë kush ka të drejtë është përmes zgjedhje, ku qytetarët do ta jepnin vendimin e tyre.