Gjilani ka shënuar fitore tejet të rëndësishme në kuadër të xhiros së 11-të në Superligë, teksa e ka mposhtur në shtëpi Llapin me rezultat të pastër 2-0.
Sallah Sherifi, i cili e drejtoi Gjilanin edhe në këtë takim u nda i kënaqur me atë se çfarë treguan futbollistët e tij në këtë duel, teksa thekson se “kuqebardhët” do të luftojnë për kreun e tabelës me paraqitje të tilla.
“Përkundër që kishim mungesa të shumta, sidomos në repartin defensivë treguam një ndeshje mjaft të mirë me shumë karakter dhe me raste të shumta shënimi. Me këtë angazhim dhe disiplinë të shfaqur nga futbollistët tanë besojmë që do të vazhdojmë të tregojmë ndeshje të mira edhe në xhirot në vijim dhe të luftojmë për kreun e tabelës”, deklaroi fillimisht Sherifi për “Art Sport”.
Më pas drejtori sportiv u ndal të flas edhe për kryetrajnerin Gentjan Mezani, i cili pritet të rikthehet shpejtë në skuadër.
“Kryetrajneri Gentjan Mezani do të rikthehet gjatë ndeshjeve në vijim. Unë jam për t’i ndihmuar këtu klubit, por sigurisht që Mezani do të rikthehet shumë shpejtë dhe do ta marrë drejtimin e skuadrës“, përfundoi Sherifi.
Me këtë fitore, skuadra e Gjilanit ngritët në kuotën e 20 pikëve, por vazhdon të mbetet në pozitën e tretë të renditjes tabelare. /Telegrafi/