Nisma Socialdemokrate ka shprehur qëndrimin e saj sa i përket kërkesës për heqjen e taksës për produktet nga Serbia dhe Bosnja.
Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Bilall Sherifi, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se heqja e taksës pa u hequr arsyet e vënies inkurajon Serbinë të vazhdojë agresionin e gjithanshëm mbi Kosovën!
“Qoftë pezullimi, qoftë heqja e taksës 100% pa u hequr asnjë nga arsyet që e kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës për ta marrë këtë vendim është kthim mbrapa, kthim në rrugën e vjetër, në rrugën e konçesioneve të vazhdueshme ndaj Serbisë, rrugë e cila është dëshmuar si e gabuar”, ka shkruar Sherifi.
Postimi i plotë:
Heqja e taksës pa u hequr arsyet e vënies inkurajon Serbinë të vazhdojë agresionin e gjithanshëm mbi Kosovën!
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës mbi bazë të propozimit gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit, Kosova, përballë agresionit të vazhdueshëm të Serbisë, ka ndjekur rrugën e lëshimit pe, rrugën e ikjes nga ballafaqimi duke mos i mbrojtur interesat e saj ashtu siç do t’i mbronte çdo shtet tjetër i pavarur dhe sovran!
Prandaj, qoftë pezullimi, qoftë heqja e taksës 100% pa u hequr asnjë nga arsyet që e kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës për ta marrë këtë vendim është kthim mbrapa, kthim në rrugën e vjetër, në rrugën e konçesioneve të vazhdueshme ndaj Serbisë, rrugë e cila është dëshmuar si e gabuar!
Ndjekja e rrugës së vjetër sjellë rezultatin e njëjtë. Madje, ajo rrugë vetëm sa do ta trimërojë Serbinë të vazhdojë me intensitet të shtuar agresionin e gjithanshëm mbi Kosovën!
Nëse do të më duhej të zgjidhja mes qortimit nga SHBA-të për shkak të mos heqjes së Taksës 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, apo nënshtrimit ndaj Serbisë duke hequr taksën pa u hequr arsyet që kanë çuar në vënien e saj, pa u menduar fare do të zgjidhja të parën!. /Telegrafi/