Site icon Telegrafi

Shërbimet e inteligjencës britanike kërkonin vrasjen e kryeministrit irlandez Charles Haughey

Një grup paramilitant i besimit protestant (anglikan) ishte urdhëruar nga shërbimet e brendshme të inteligjencës britanike (MI5) të vriste kryeministrin irlandez Charles Haughey, në fund të viteve ’80 të shekullit të kaluar.

Grupi i njohur si “Forca Vullnetare e Ulsterit” është një organizatë paramilitare e listuar në organizatat terroriste që operonte kryesisht në Irlandën e Veriut dhe kishte qëllim ruajtjen e unitetit territorial të Mbretërisë së Bashkuar kundër forcave të Ushtrisë Republikane Irlandeze (IRA – organizatë terroriste që ka vrarë zyrtarë dhe civilë britanikë në vitet 1970-80, në mënyrë që Londra të lejonte bashkimin e Irlandës së Veriut me Republikën e Irlandës. Grupi përbëhet nga fanatikë të besimit katolik).

Sipas informacioneve të publikuara ligjërisht pas 30 vitesh të mbajtura në arkivat shtetërore britanike, një oficer i shërbimit të inteligjencës me pseudonimin Alex Jones u afrua tek grupi dhe i dha adresën e shtëpisë së kryeministrit irlandez, targat e makinës dhe vendndodhjen e jahtit të tij, duke e inkurajuar këtë grup paramilitar që ta vriste.

Por, grupi i cili ishte kritik ndaj “lojërave të pista” të inteligjencës që nuk punonte hapur në mbrojtje të luftës anti-republikane, ndoshta edhe për faktin se ata renditeshin në listën e “grupeve terroriste” nga forcat e ruajtjes së rendit, nuk e pranuan këtë detyrë dhe i dërguan një letër kryeministrit irlandez ku e lajmëronin për këtë qëllim të shtetit britanik.

“Na kanë urdhëruar të të ekzekutojmë. Ne e kemi refuzuar ta bëjmë këtë dhe nuk mbajmë përgjegjësi nëse diçka të ndodh ty. Nuk jemi dakord me ato që po bën, por ne nuk do të luajmë lojërat e pista të Departamenteve të fshehta”, shkruhej në letrën e dërguar nga paramilitarët për kryeministrin e atëhershëm irlandez në vitin 1987.

Menjëherë pas këtij paralajmërimi, kontrollet për eksplozivë dhe ruajtja fizike e kyreminsitrit u shtua së tepërmi në Irlandë. Zbulimi i kësaj dosjeje natyrisht që ngre shumë pikëpyetje për mënyrën sesi Londra ka menaxhuar konfliktin në Irlandën e Veriut dhe çfarë veprimesh sekrete janë ndërmarrë me qëllim fitimin e luftës. / tiranapost.al/

Exit mobile version