Telegrafi

Sheqerinska: Biseda e Zaevit ka mundur të parandalohej nëse përgjohej ashtu siç bënte Mijallkov

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, thotë se shërbimet s’kanë mundur të reagojnë që të parandalohet biseda e kryeministrit Zoran Zaev me komikët rusë.

“E dini kur mund të reagojë shërbimet në një gjë të tillë? Kur do ta bënin atë që e bënte Sasho Mijallkov. Kur do të përgjoheshin të gjitha bisedat e kryeministrit dhe do të analizoheshin”, tha ministrja Sheqerinska, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ajo shtoi se në situata të këtilla nuk zgjidhen mjetet dhe se ky mjet nuk është përdorur vetëm te ne, por edhe te sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, te kryetari i Francës dhe disa njerëz tjerë në politikë.

Lexo po ashtu Maqedoni, ekspertët e sigurisë presin të ketë përgjegjësi për bisedat telefonike

“Kërcënime të tilla do të ketë, ne duhet ta ndërrojmë kulturën e sigurisë dhe dhjetë herë ta kontrollojmë. Këto biseda treguan se kryeministri në secilën bisedë, në secilin nivel, me secilin bashkëbisedues i mban qëndrimet e njëjta”, tha mes tjerash Sheqerinska./Telegrafi/