Joaquin Correa është bashkuar me Interin këtë verë nga Lazio dhe ka bërë mjaftë mirë.
Sulmuesi argjentinas është një futbollist që e ka në qejf Milanin, pasi thuajse i shënon gjithmonë.
Në nëntë ndeshje përballë kuqezinjve, Correa i ka shënuar pesë gola sa ishte pjesë e Lazios.
Correa ka thënë se i kujtohen të gjitha golat që i ka shënuar Milanit, por synon që të shënoj edhe të tjerë.
“Më kujtohet mjaft mirë goli në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë në vitin 2019 pasi shkuam në finale dhe fituam trofeun”.
“Një gol tjetër e kam shënuar në minutën e 94. Të gjithë golat kanë qenë të rëndësishëm, por dua të shënoj akoma më shumë”, deklaroi Correa.
Tutje argjentinasi ka folur për derbin e Milanos, duke thënë se e ka ndjekur qysh kur ka qenë fëmijë dhe tani ka shansin që të luaj.
“Unë e kam parë këtë ndeshje kur isha fëmijë. Qëndroja përpara televizorit dhe shihja stadiumin që shndrinte nga dritat dhe nga kampionët që zbrisnin në fushë. Mendoja se sa bukur mund të jetë aty. Tani kam shansin ta luaj”,tha Correa.
Milan dhe Inter takohen të dielën me fillim nga ora 20:45 në San Siro. /Telegrafi/