Armando Broja shënoi golin e tij të parë te Chelsea pas 359 ditësh, shkaku i lëndimit që kishte pësuar në ligamente.
Sulmuesi shqiptar realizoi në minutën e 19-të në fitoren 2-0 të Bluve në udhëtim te Fulhami në kuadër të javës së shtatë në Ligën Premier.
Pas ndeshjes, Broja ka thënë se është një ndjenjë e mirë kur shënon gol, pasi tashmë dihet se skuadra londineze ka fituar vetëm dy nga shtatë ndeshjet e zhvilluara.
“Fitorja është një nxitje masive për ne si skuadër. Kemi prezantuar një ekip krejtësisht të ri këtë verë, kështu që ka qenë për njohje”, ka thënë fillimisht Broja.
“Është e mahnitshme. Si sulmues gjithmonë dëshiron të shënosh, në skenën e madhe dhe në momentet e mëdha. Një ndjenjë e pabesueshme të shënosh edhe në një derbi”.
“Fitoret sjellin atë besim dhe pozitivitet, mes grupit, tifozëve, rreth klubit. Kështu që është e rëndësishme të fitosh dhe ta bësh këtë sa më shumë që mundesh, dhe të luash mirë e shton këtë pozitivitet. Thjesht duhet të vazhdojmë përpara”, ka shtuar më tej sulmuesi shqiptar.
Kishte shqetësime kur Broja u zëvendësuar në minutën e 65-të, por që lojtari bëri të ditur se ishte vetëm një goditje e lehtë dhe nuk dëshironte të rrezikonte. /Telegrafi/