Ish-sulmuesi anglez, Kerry Dixon, ka gjetur punë si hidraulik, pasi qëndroi në burg për nëntë muaj për shkak të një përleshjeje brutale në një klub nate.
55-vjeçari, i cili ka luajtur për Anglinë në Kampionatin Botëror të vitit 1986 dhe gjatë karrierës ka shënuar 193 gola për Chelsean, në vitin 2015 u burgos pasi u shpall fajtor për sulm ndaj një personi.
Ai ka qëndruar në burg për nëntë muaj dhe pas daljes nga burgu është angazhuar nga një kompani dhe i rregullon tubat për të fituar para.
“Rregulloj tuba për të siguruar jetesën. Por, nuk është diçka e panjohur për mua – unë kam punuar punë të zakonshme edhe në të kaluarën. Më duhet të fitoj para”.
“Po përpiqem ta sistemoj jetën dhe të bëj sa më shumë që mundem që të qëndroj si duhet”, ka thënë Dixon për Daily Star.
Gjykata e shpalli fajtor ish-futbollistin, pasi ai e kishte rrahur brutalisht Ben Scoble duke e goditur dhe shkelmuar në kokë.
Ai është arsyetuar se ishte provokuar nga personi tjetër, me të cilin edhe para dhjetë vitesh kishin pasur një zënkë. Mirëpo, gjykata vendosi në dëm të tij.
Dixon ka thënë se fama i ka shkaktuar probleme në jetën e tij të përditshme, mirëpo është i vendosur që t’i kthejë gjërat në rrugën e duhur.
Njëherësh, ai e ka publikuar edhe një autobiografi me titull “Up Front”. /Telegrafi/