Telegrafi

Shënohet viktima e parë me coronavirus në Itali

Shënohet viktima e parë italiane me coronavirus. Viktima është shtetasi italian Adriano Trevisian 78 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në spitalin Schiavonia të Padovës

Ai është një nga 16 italianët e prekur nga ky virus i verifikuar një ditë më parë në rajonet Veneto e Lombardia.

Pas këtij lajmi guvernatori i rajonit të Venetos Luca Zaia deklaroj se “spitali Schiavonia ku po kurohej viktima do të mbyllet e brenda 5-6 ditëve do të boshatiset e gjithë struktura”, raportojnë mediat.

Lexo po ashtu Coronavirusi përhapet edhe në veri të Italisë, 16 raste të raportuara brenda një dite

Komuna Vo Euganeo në Veneto ku jetonte viktima e ku është regjistruar dhe rasti i një tjetri italiani të infektuar nga coronavirus, me urdhër të Ministrisë së Shëndetit është vënë nën masa kufizuese me qëllim limitimin e zonës gjeografike të shtrirjes së virusit.

Gjithashtu kryetari i bashkisë së kësaj komune i ka bërë thirrje banorëve të mos frekuentojnë vendet publike e të qëndrojnë nëpër banesa.

Ndër 16 italianët e infektuar mes të cilëve dhe viktima, 5 janë punonjës shëndetësorë mjekë, infermierë e sanitarë.